📌 Përgjigje.
Falenderimi i takon Allahut, Zotit të botërave.
Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të Dërguarin e Allahut.
Ue alejkum selam!
Nëse teshtin dhe je në namaz është e ligjëruar që të thuash: Elhamdulilah (Falenderimi i takon Allahut) qoftë namaz farz (i detyrueshëm) apo nafile dhe ky është mendimi i shumicës së dijetarëve. E thua atë me aq ton zëri sa ta dëgjosh veten tënde dhe të mos shqetësosh të tjerët përreth aq më teper nëse je në namaz me xhemat.
Është transmetuar nga Ebu Hurejra – Allahu qoftë i kënaqur me të- se Profeti -paqja e Allahut qoftë mbi të- ka thënë:
(إذا عطس أحدكم فليقل: الحمد لله)
“Nëse teshtin ndonjëri prej jush, le të thotë: Elhamdulilah ( Falënderimi i takon Allahut ..)” [Transmeton Buhariu]
Gjë që tregon legjitimitetin e thënies Elhamdulilah në namaz, por nëse teshtin në namaz dhe pastaj thua Elhamdulilah, nuk është e lejuar për ata që dëgjojnë thënien Elhamdulilah që të thonë: “JerhamukuLlahu” (Allahu të mëshiroftë) duke qënë edhe ata në namaz, sepse kjo nuk është e lejuar në namaz dhe e mohoi Profeti, paqja e Allahut qoftë mbi të, një gjë të tillë ashtu siç transmetohet nga
Muauije Ibn El-Hakem Es-Sulemiu, i cili thotë:
“Ndërkohë që unë po falesha me të Dërguarin e Allahut -paqja e Allahut qoftë mbi të- një burrë prej të pranishmëve teshtiu dhe unë i thashë: “Jerhamulullah” (Allahu të mëshiroftë!)” Njerëzit m’i hodhën vështrimet e tyre ngultazi dhe unë thashë: “Mbeti nëna ime pa djalë (u shkatërrova)! Si është çështja me ju që po më vështroni kështu?” Ata filluan të gjuanin mbi kofshët e tyre me duar dhe e mora vesh se po donin që të më bënin të heshtja [prandaj u zemërova me injorancën time, por edhe me refuzimin e tyre të tepruar], ama pushova [u përmbajta dhe nuk pyeta për shkakun e refuzimit të tyre]. Pasi i Dërguari i Allahut -paqja e Allahut qoftë mbi të- e mbaroi namazin- flijofsha babë e nënë për të!, nuk kam parë mësonjës, as para dhe as pas tij, që të japë mësim më mirë nga ai; për Allahun as më ngushtoi, as më goditi dhe as më dikreditoi (kritikoi)- tha:
“Ky, namazi, nuk bën që në të të ketë diçka prej fjalëve të njerëzve, por ai (namazi) është në të vërtet tesbihu (lavdërimi i Zotit), tekbiri (madhërimi i Zotit) dhe lexim i Kuranit [namazi përbëhet prej këtyre elementëve].”
[Transmeton Muslimi]