Gabimet që ndeshen në muajin e agjërimit

ramazani1Falëndërimi i takon Allahut të Lartësuar, i Cili e ligjëroi agjërimin e muajit Ramazan për arritjen e vlerave dhe qëllimeve të larta dhe ndër qëllimet më të larta është devotshmëria, ashtu siç thotë Allahu në Kuran:

{ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا كُتِبَ عَلَيْكُمُ الصِّيَامُ كَمَا كُتِبَ عَلَى الَّذِينَ مِنْ قَبْلِكُمْ لَعَلَّكُمْ تَتَّقُونَ }( البقرة:183)

O ju që keni besuar! Ju është urdhëruar juve edhe agjërimi siç u qe urdhëruar edhe atyre përpara jush me qëllim që të bëheni më të devotshëm” [El-Bekare: 183]

Sa më pranë rregullave që ka ligjëruar Allahu gjatë Ramazanit  të jetë agjëruesi, aq më shumë jep frytet e agjërimit tek ai, prandaj duhet që agjëruesi të njohë rregullat e agjërimit në mënyrë që të fitojë atë që i është premtuar atij. Por, me keqardhje, disa prej agjëruesve agjërojnë pa i njohur rregullat dhe edukatën e agjërimit, kështuqë bëjnë gabime. Do të përpiqemi që të paraqesim disa nga gabimet që ndeshen në muajin e  agjërimit, në mënyrë që të largohet prej tyre agjëruesi dhe të kujdeset që të mos bjerë në këto gabime.

Ndër këto gabime përmendim:Së pari: Gabimet që bëhen me hyrjen e Muajit Ramazan:

1. Mos bërja e nijetit për agjërimin që në darkë deri para agimit. Ka thënë i Dërguari i Allahut -r-: “Ai që nuk e bën nijetin për të agjëruar që në darkë nuk ka agjërim për të” (Transmeton En-Nesaij) Dhe bërja e nijetit bëhet në vetveten tende dhe nuk shqiptohet me fjalë.

2. Nga gabimet më të mëdha që rrjedhin nga ata që besimi i tyre është i dobët është moskënaqësia e hyrjes së këtij muaji dhe dëshira që të largohet sa më shpejtë. Kjo ndjenjë vjen për shkak të rëndesës në adhurimet duke mos e ndjerë kuptimin e adhurimit dhe ëmbëlsinë e bindjes ndaj këtij adhurimi, apo ndoshta ka agjëruar vetëm se njerëzit e tjerë agjërojnë dhe me këtë i ka ndaluar vetes së tij përfitimet nga ky muaj.

3. Të konsideruar e këtij muaji mundësi për të fjetur dhe për të pushuar dhe kalimi i netëve të tij pa gjumë dhe në gjëra që nuk kanë dobi, duke humbur kështu kohërat më të vlefshme në gjëra që nuk i sjellin atij dobi si në këtë dynja ashtu dhe në Ahiret.

Së dyti: Gabimet që ndeshen gjatë agjërimit:

1. Bërja e marrdhënieve me gruan gjatë ditës së agjërimit dhe ata janë agjërues, duke mos e ditur që kjo gjë e prish agjërimin dhe që duhet për të dëmshpërblim. Dhe kjo vjen si shkak i mosnjohjes së rregullave të agjërimit.

2. Moslargimi nga gjynahet gjatë agjërimit. Agjëron duke u larguar nga ushqimi dhe pirja, por merret me përgojimin e njerëzve dhe me thashëtheme. Dhe Profeti -r- thotë: “”Allahu nuk ka nevojë për agjërimin e atij personi, i cili nuk i lë veprat e këqija” (Transmeton Buhariu)

3. Moslarja e trupit duke menduar që larja në agjërim pas drekës e prish agjërimin. Përkundrazi lejohet për agjëruesin që të lahet dhe kjo nuk e prish agjërimin.

4. Mos edukimi i tij me agjërimin, kështuqë e gjen të mërzitur dhe që përnjeherë zemërohet për shkak të lodhjes që ndjen nga agjërimi dhe nga uria, ndonëse duhet që agjërimi të jetë mbrojtje për të, ta edukojë atë, ashtu siç thotë Profeti -salallahu alejhi ue selem -: “Agjërimi është mbrojtje. Nëse ndonjëri prej jush është agjërues të mos flasë fjalë të kota dhe të mos bërtasë, nëse dikush e shan atë apo e ofendon le të thotë: “Unë jam agjërues”.” (Transmeton Buhariu dhe Muslimi)

Së treti: Gabimet që ndeshen gjatë iftarit:

1. Vonimi i çeljes së iftarit pas hyrjes së kohës së tij dhe kjo është në kundërshtim me sunetin, i cili fton në të shpejtuarit e iftarit. Ka thënë i Dërguari i Allahut – salallahu alejhi ue selem -: “Do të jenë njerëzit në mirësi perderisa të shpejtojnë iftarin”   Kështuqë duhet që çdo agjërues nëse futet koha e iftarit (me thërritjen e ezanit të akshamit) së pari ta fillojë më iftarin, pastaj të bëjë dua dhe më pas të falet.

2. Nga gabimet që ndeshen gjatë iftarit: çelja e iftarit me gjërat që janë të ndaluara (haram) si: pijet alkolike. Nuk ka dyshim që ky muaj është një mundësi që të pendohet muslimani nga këto gjëra të ndaluara dhe ai që i lw këto gjëra të ndaluara gjatë ditës së agjërimit nuk do të jetë e vështirë për të me vendosshmëri dhe me durim që të largohet nga to edhe gjatë netëve të agjërimit dhe deri në fund të Ramazanit është mësuar për lënien e tyre për të qënë kjo një largim i përhershëm nga ato me Lejen e Allahut.

Së katërti: Gabimet që ndeshen në namazin e Natës:

1. Dembelizmi në faljen e namazit të Teravive, me preteksin që ato janë sunete dhe nuk janë detyrë. Nuk duhet të harrojë agjëruesi që edhe nëse teravitë janë sunete dhe jo farze të falurit e tyre është prej veprave që e afron robin me Zotin e tij dhe aq më tepër në muajin e Ramazanit që veprat shumëfishohen, kështuqë duhet të kujdesesh për faljen e tyre në mënyrë që pas përfundimit të Ramazanit të kesh fituar shpërblim të madh.

2. Nga gabimet që ndeshen gjatë faljes së Teravive të vazhduarit e namazit deri para agimit, pastaj të fjeturit gjumë nga lodhja e natës dhe mosfalja e namazit të sabahut me xhemat, apo të fjeturit gjumë derisa të kalojë edhe koha e namazit të sabahut dhe padyshim ky është nga gabimet më të mëdha, sepse falja e namazit të natës është sunet, ndërsa falja e namazit të sabahut në kohën e tij është farz, kështuqë nuk duhet të angazhohemi me sunete që të jenë shkak për humbjen e farzeve.

3. Nga gabimet që ndeshen është edhe të falurit nga disa imam të xhamive të namazit të Teravive me sure të shkurtra duke dashur të shpejtuarit e mbarimit të namazit, ndërsa është e pëlqyeshme që të lexohet gjatë me qëllim që të lexohet i gjithë Kurani gjatë muajit të Ramazanit.

4. Gjithashtu nga gabimet që ndeshen në xhami gjatë faljes së Teravive është të folurit e shumtë duke i shqetësuar ata që falen dhe duke ua tërhequr përqëndrimin nga namazi, ndërkohë që detyrë për çdo musliman është mosshqetësimi i atyre që falen dhe mbajtja qetësi në xhami.

5. Nga ajo që vihet re në fillim të muajit të Ramazanit njerëz të shumtë që mbushin xhamitë për t’u falur, pastaj dobësohet kjo dëshirë nga fundi i muajit dhe sheh që safët janë më të paktë, ndërkohë që në fund të Ramazanit duhet e kundërta: të shtohet edhe më tepër vullneti sidomos në 10 ditëshin e fundit, ashtu siç ka qënë Profeti ynë -salallahu alejhi ue selem – që nëse futej 10 ditëshi i fundit i Ramazanit forcohej më tepër dhe e kalonte natën me namaz dhe e zgjonte familjen e tij për të adhuruar Allahun.

Së pesti: Gabimet në leximin e Kuranit:

1. Leximi i Kuranit me zë të lartë duke i shqetësuar njerëzit që janë në xhami, në itikaf Transmetohet nga Ibn Mesud që thotë: “Bëri itikaf i Dërguari i Allahut -salallahu alejhi ue selem – në xhami dhe dëgjoi që i ngrinin zërat gjatë leximit të Kuranit, e hoqi mbulesën dhe tha: “Mos t’i bëni dëm njëri- tjetrit, mos i ngrini zërat gjatë leximit”, ose tha: ” Gjatë namazit” (Transmeton Ebu Daud)

Së gjashti: Gabimet që ndeshen në syfyr:

1. Mosngrënia e syfyrit që është në kundërshtim me sunetin dhe kjo e bën agjëruesin që të ndjehet i lodhur pa ngrënien e syfyrit, ndërsa në ngrënien e tij merr fuqi për ta vazhduar agjërimin  e tij, ashtu siç ka thënë Profeti -salallahu alejhi ue selem -: “Hani syfyrin, sepse në ngrënien e tij ka bereqet”

2. Të ngrënit apo të pirët gjatë ezanit të sabahut. Duhet që muslimani të kujdeset për agjërimin e tij dhe sapo të dëgjojë ezanin të ndalohet nga ngrënia dhe pirja.

.

Së shtati: Gabimet që ndeshen në nxjerrjen e zekatit të Fitrit:

1. Nxjerrja e zekatit të Fitrit pas mbarimit të kohës së tij. Zekati i Fitrit është detyrë  që të nxirret në kohën e tij dhe koha e tij e fundit është para faljes sw namazit të Bajramit dhe nëse kalon kjo kohw nuk pranohet. Transmeton Ibn Omeri, i cili tha: “E bëri detyrë i Dërguari i Allahut nxjerrjen e zekatit të fitrit saa ( njësi matëse që ka qënë përdorur tek arabët dhe afërsisht masa e saj është 2kg e 600  gram) nga hurmat ose saa nga elbi për secilin: robin (skllav), të lirin, mashkull, femër, të vegjelit dhe të moshuarit nga muslimanët. Dhe urdhëroi që të nxirret ky zekat para se të dalin njerëzit për të falur namazin e Bajramit” (Transmetoi Buhariu, Muslimi)

2. Shpenzimi i njerëzve për nxjerrjen e zekatit të Fitrit përtej mundësive të tyre, ndërsa detyrë për secilin është nxjerrja e atij ushqimi që konsumohet më tepër në vend dhe masa e këtij ushqimi afërsisht është 2 kg e 600  gram për person dhe jo më shumë.

Këto janë disa nga gabimet që ndeshen në muajin e Ramazanit, i përmendem ato si këshillë për muslimanët që të kujdesen me aq sa kanë mundësi për të  arritur më të mirën gjatë agjërimit të tyre, duke shpresuar që Allahu të na falë për gabimet tona dhe të na përfshijë në Mëshirën e Tij.

Lus Allahun që të arrijmë muajin e Ramazanit, ta agjërojmë atë, të fitojmë mirësitë e tij. Allahu na e pranoftë agjërimin tonë, namazet tona dhe çdo adhurim që bëhet gjatë këtij muaji. Allahu na faltë dhe na mëshiroftë dhe na bëftë prej banorëve të Xhenetit.

Përktheu: Adelina Kuçana Allkoçi

17 Gusht 2009 / 26 Shaban 1430

Leave a comment