Ngrënia e mishit e therur nga i krishteri, apo muslimani jopraktikant

❓1- A lejohet te hahet mishi qe ther nje i krishter?

2- A lejohet te hahet mishi ne nje restorant qe thjesht pronari i atij restoranti eshte musliman por sa kujdes mund te ketë rreth mishit nuk e dime pasi qe ai restorant eshte nder me te medhajat ne Tirane?

3- Dhe a lejohet te hash mish nga nje person qe e konsideron veten musliman (me emer)por qe nuk fal namaz as agjeron.. dhe per me teper ndoshta nuk ben as bismilah?

📌 Përgjigje nga Adelina Kuçana.

Falenderimi i takon Allahut, Zotit të botërave.
Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të Dërguarin e Tij.

Muslimani duhet të jete i kujdesshëm dhe të sigurohet që ushqimi i tij të jetë hallall dhe të shmanget nga ushqimi që është haram.

Allahu i Lartësuar ka thënë ne Kuran:

(كُلُوا مِنْ طَيِّبَاتِ مَا رَزَقْنَاكُم)
“Hani gjërat e mira me të cilat u kemi furnizuar” [Bekare: 577]

Dhe Profeti – paqja e Allahut qoftë mbi të- ka thënë:
(إن الله طيب لا يقبل إلا طيبا، وإن الله أمر المؤمنين بما أمر به المرسلين. قال تعالى: (يَا أَيُّهَا الرُّسُلُ كُلُوا مِنَ الطَّيِّبَاتِ وَاعْمَلُوا صَالِحاً)

“Vërtet All-llahu i madhëruar është i Mirë dhe nuk pranon përveç mirë, dhe vërtet All-llahu u ka urdhëruar besimtarëve atë që u ka urdhëruar të dërguarve. I Madhëruari ka thënë: “O ju të dërguar, hani gjërat e mira dhe punoni mirë.” [Muminun: 51].”
(Transmeton Muslimi)

Allahu gjithashtu thotë:

(وَلا تَأْكُلُوا مِمَّا لَمْ يُذْكَرِ اسْمُ اللَّهِ عَلَيْهِ وَإِنَّهُ لَفِسْقٌ)
“Dhe mos hani nga ajo që (para therjes së saj) nuk është përmendur emri i All-llahut, vërtet ajo (ngrënia) është mëkat.” [Enam: 121].

Ashtu siç duhet të dijë se origjina e therjes së kafshëve (mishit) është të qënurit e saj haram (e ndaluar), derisa të sigurohemi që është therur sipas kritereve fetare për tu bërë hallall ngrënia e mishit të këtyre kafshëve.

🍃 1- Përsa i perket mishit që ther një i krishterë, dijetarët janë pajtuar unanimisht që lejohet ngrënia e këtij mishi nëse theret duke i prerë gërmazin, ezofagun dhe dy arteriet e gjakut, duke u bazuar në Fjalën e Allahut ku thotë:

(وَطَعَامُ الَّذِينَ أُوتُوا الْكِتَابَ حِلٌّ لَكُم)
“Ushqimet (të therurat) e ithtarëve të librit janë të lejuara (hallall) për ju” [Maide: 55].

Në bazë të kësaj, nëse është konstatuar se kafsha është prerë nga një i krishterë (ithtarët e librit) dhe se therja e kësaj kafshe nuk ishte për shkak të përdorimit të korentit (elektroshok), mbytjes me litar ose goditjes në kokë e të ngjashme, sepse në këtë rast kjo kafshë konsiderohet ngordhësirë dhe mishi i saj nuk lejohet të hahet; por ishte për shkak të prerjes së gërmazit, ezofagut dhe dy arterieve të gjakut, nuk ka asnjë kundërshtim në ngrënien dhe konsumimin e mishit të tillë.

🍃2- Përsa i perket pyetjes së dytë, nëse pronari i këtij restoranti është i njohur që është musliman praktikant dhe është i kujdesshmën në çështjen e mishit që servir në restorantin e tij që është mish hallall sipas kritereve fetare, natyrisht që hahet mishi në këtë restorant.
Nëse nuk është i njohur vetë pronari dhe nuk dihet as kujdesi që tregon për çështjen e mishit duhet pyetur për të, sepse nuk i lejohet muslimanit që të hajë mish derisa të njohë që a është therur sipas rregullave, normale sheriatike në mënyrë që ti lejohet ngrënia e tij.

🍃3- Ndërsa përsa i përket pyetjes së tretë, nuk lejohet ngrënia e mishit nga një person i cili nuk falet dhe as agjëron edhe nëse thotë bismilahi, sepse një person i tillë nuk quhet në të vërtetë musliman dhe nga kushtet e therësit që të konsiderohet hallall (sheriatikisht i lejuar për t’u ngrënë) mishi i therur është që të jetë musliman, praktikant i Islamit, ose të jetë nga ithtarët e Librit (hebre ose i krishterë, sipas asaj që permendem në përgjigjen e pyetjes së parë).
Që njeriu të quhet musliman nuk mjafton që të pretendojë që është musliman dhe nuk praktikon asgjë nga Islami dhe nuk e zbaton shtyllat e Islamit, por quhet musliman atêherë kur e meriton të quhet me zbatimin e shtyllave të Islamit.

Allahu e di më së miri.

Leave a comment