Vdekja

Vdekja është krijesë nga krijesat e Zotit. Vdekja është e kundërta e jetës.

Thotë Allahu në Kuran: “I Lartësuar me madhështi qoftë Ai në Dorë të të Cilit është Mbisundimi dhe Ai është i Zoti për të bërë çdo gjë. I Cili ka krijuar vdekjen dhe jetën, me qëllim që të provojë kush nga ju është më I miri në vepra. Dhe Ai është I Gjithëfuqishmi, gjithnjë Falës I Madh” [Sure El-Mulk:1,2]

Ka thënë Ibn Kethir –Allahu e mëshiroftë-, në shpjegimin e ajeteve: “Kuptohet nga ky ajet se vdekja është ekzistenciale, sepse është krijesë prej krijesave të Zotit”([1])

Ndërsa Sejd Kutub thotë: “Jeta dhe vdekja janë dy incidente që ndodhin në çdo moment, por vetëm Zoti zotëron jetën dhe vdekjen; njeriu- ndonëse është krijesa më e përsosur- nuk është në gjendje t’i japë jetë një qelizë të vetme, dhe është po aq i pafuqishëm në grabitjen reale të jetës së një të gjalli. Ai që jep jetën, është Ai që e di të fshehtën e saj dhe që e dhuron dhe e merr atë; njerëzit mund të jenë shkak për humbjen e jetës të disave, por ata nuk janë të cilët e largojnë të gjallin nga jeta e tij në formën e së vërtetës, por Zoti është ai që i jep jetë dhe që e merr atë, vetëm Ai dhe askush tjetër…”([2])

Çdo njeri jeton dhe udhëton drejt vdekjes në mënyrë të pashmangshme, asgjë nuk e shpëton prej saj, sepse çdo njeri ka e të përcakuar se sa do të jetojë.

“Është e nevojshme që njeriu ta kuptojë këtë fakt me bindje në vetvete, fakti se jeta në këtë tokë është e përkohshme, e kufizuar dhe do t’i vijë fundi i pashmangshëm… Do të vdesin të drejtët dhe të këqijtë; zotërinjtë dhe skllevërit; trimat që refuzojnë të vdesin dhe frikacakët që janë të etur për një jetë me çdo kusht; edhe ata që në këtë jetë kishin qëllimet të larta, si dhe ata që jetonin në këtë jetë pa asnjë qëllim…të gjithë do ta shijojnë vdekjen. Të gjithë do ta provojnë këtë shije, shije e njëjtë: shkëputja nga kjo jetë. . Nuk ka dallim në mes të këtij dhe atij personi në shijimin e kësaj shije (vdekjes) nga e njëjta gotë që vërtitet për të gjithë, por diferenca është në diçka tjetër: diferenca në përcaktimin përfundimtar”([3])

Në konceptin fetar nuk ekziston vetëm jeta e kësaj bote, por është edhe bota e ahiretit, apo jeta pas ringjalljes. Njeriu jeton në këtë univers, jetën e kësaj bote, për disa ditë ose vite (dekada), dhe më së fundi vdes. Më pas, ai ringjallet dhe jeton jetën e tij të përhershme, në ahiret. Atë jetë do t’a jetojë sipas rezultateve të arritura në këtë botë. Prandaj edhe thuhet që ç’të mbjellësh në këtë dynja do të korrësh në Ahiret.

Për këtë Allahu e sqaron në Kuran që jeta e vërtetë është jeta e Ahiretit: “ …dhe vërtet, (jeta e) botës tjetër është jetë. Sikur ata t’a dinin këtë” [Sure El-Ankebut: 64]

Kjo do të thotë se bota e ahiretit është jeta e vërtetë, të cilën do ta jetojë njeriu, ndërsa jeta e kësaj bote, sado që njeriu të jetojë në të, është e kufizuar dhe ka fundin e saj të pashmangshëm (vdekjen).

Këto janë etapat e jetës të cilat i kalon çdo njeri:

– Jeta në këtë botë

-Vdekja dhe të jetuarit e Berzahit (varr-it)

– Jeta e përjetshme, amshueshmëria në xhennet (parajsë) ose xhehennem (ferr, zjarr).

 

Së fundi derisa vdekja është e pashmangshme dhe askush nuk jeton në këtë jetë të përkohshme, dhe se jeta e vërtetë është jeta e përhershme pas ringjalljes secili prej nesh le t’i drejtojë vetes një pyetje: çfarë kam përgatitur për të korrur në jëtën e vërtetë?

 

Adelina Allkoçi

 

)1)Tefsir Ibn kethir: (8/ 203)

(2) Fi Dhilal: (4/2477)

(3) Fi Dhilal, Sejd Kutub: (1/538)